#YouthInTech është një nismë që promovon të rinjtë entuziastë të cilët kanë një ide apo një projekt inovator.
Si u bë bashkimi i këtij grupi?
Si nxënës të shkollës ‘Harry Fultz’ dhe shokë klase me një dëshirë për të bërë diçka më shumë sesa kurrikula shkollore, vendosëm të sfidonim veten dhe krijuam grupin ‘OTC’. Grupi përbëhet nga Parid Çati, Kleon Oshafi, Besart Kaiku, Deiv Drenova dhe Kleivi Saracini.

Si lindi ideja?
Të gjithë jemi qytetarë të Tiranës dhe i dimë problemet që ka qyteti ynë, veçanërisht problemin e ndotjes mjedisore. Duke evidentuar një nga shkaqet kryesore si ndotja e ajrit ne gjetëm një zgjidhje inovative dhe interaktive, me anë të aplikacionit tonë “R-ECO”.

Si funksionon ky aplikacion dhe pse pikërisht ky emër?
Funksioni kryesor i këtij aplikacioni janë rrugët dhe zonat “Green”. Ne i japim përdoruesve rrugën më ekologjike dhe me nivele të ulëta të ndotjes së ajrit drejt destinacionit. Sa për zonat green, ne mbledhim indekset sipas një algoritmi të thjeshtë dhe implementojmë zona të cilat janë më të shëndetshme se të tjerat.
Gjithashtu për të lejuar përdoruesin të ketë një ndikim direkt në gjelbërimin e Tiranës, ne i japin mundësinë çdokujt të mbjellë një pemë me anë të të parit të disa reklamave interaktive.
Përveç përfitimeve për shëndetin e përdoruesit dhe për qytetin, ne i japim mundesinë përdoruesve të bëhen pjesë në sfidat tona argëtuese ditore dhe javore, ku nga kryerja e secilës prej tyre merret një NFT unike dhe e veçantë e cila mund të kthehet në vlerë monetare.

Si përfiton komuniteti/qyteti nga kjo ide?
Aplikacioni ynë pritet t’i sjellë Tiranës rreth 70,000 pemë të mbjella çdo vit, shifër kjo e dhënë pas disa llogaritjeve paraprake që ka bërë ekipi ynë.
Ne shpresojmë të ndihmojmë kauzat e ndryshme mjedisore me anë të platformës sonë nëpërmjet sfidave dhe lojrave në të.
Si do ta çoni përpara këtë ide, cila është dëshira juaj?
Ne nuk synojmë vetëm qytetin e Tiranës. Në të ardhmen planifikojmë zgjerimin në qytete të tjera të Shqipërisë si dhe shtimin e funksionaliteteve më të fundit me teknologjitë më inovative.
