#YouthInTech është një nismë që promovon të rinjtë entuziastë të cilët kanë një ide apo një projekt inovator.

Si lindi ideja?

Faktikisht, idea lindi në një mënyrë indirekte, nuk e kisha menduar diçka të tillë. Gjatë kohës sime të studimeve në shkollën profesionale “Gjergj Canco” erdhi një fond i destinuar për ndërtimin e një projekti ekologjik me materiale të riciklueshme. Drejtoresha e shkollës më zgjodhi mua për ta marrë këtë fond dhe për të ndërtuar një projekt. Ishte pikërisht ky fond i cili më dha shtysën për të menduar një ide e cila rezultoi në ndërtimin e robotit. Duke u konsultuar me mësueset e shkollës, arrita në konkluzion me idenë e robotit të dezinfektimit të cilin e quajta “SPAC”.

Prototipi

Si funksionon ky robot dhe pse pikërisht ky emër?

Roboti është i dizenjuar të përdoret në ambjente të mbyllura. Marrim rastin e përdorimit në shkolla. Ai ndizet automatikisht në orën 6 të mëngjesit dhe fillon dezinfektimin e të gjithë shkollës. I gjithë procesi zgjat një orë, por kjo është në varësi të hapësirës së shkollës, ku roboti duhet të shkojë në çdo klasë. Në orën 7 roboti ka përfunduar dezinfektimin dhe kthehet në vendin e tij, ku lidhet me një karikues dhe karikohet. SPAC-u gjatë punës së tij, nuk ka nevojë për ndonjë asistencë nga njeriu. E vetmja gjë që roboti ka nevojë për asistencë, është mbushja e shisheve me dezinfektant kur të boshatisen, dhe gjithashtu kontroll për probleme të mundëshme.

• SPAC-u, është një robot i dizenjuar për të dezinfektuar ambjentet e mëdha duke lëvizur në mënyrë autonome.

• Ai është i pajisur me një sistem sprucimi i cili merr dezinfektantin nga depozita dhe e nxjerr atë në mënyrë të sprucuar nga krahët e tij.

• Krahët janë të dizenjuar që të lëvizin me një kënd nga 0 deri në 180 gradë, në mënyrë që të mbulohet një sipërfaqe e gjerë dezinfektimi.

• Ai ka disa sensorë të pozicionuar tek sytë e tij, tek trupi, të lokalizuar, një majtas, një djathtas dhe një mbrapa tij.

• Pika kyçe e këtij roboti është softi: një software i ndërtuar me algoritme të ndryshme të cilat e bëjnë robotin të jetë sa më autonom.

Emri SPAC është akronim i “Smart Protection Anti Covid”. Ky emër lindi pas një brainstorm me ide të ndryshme në familjen time. Çfarë është interesante, është fakti se në momentin që vendosa për emrin e robotit, unë nuk e njihja “SPAK-un” e Shqipërisë kundër korrupsionit. Për mua ishte e rëndësishme që brenda emrit të përfshihej fjala Covid, sepse ky është problemi që ky robot përpiqet të zgjidhë.

Si do ta çosh përpara këtë ide, cila është dëshira jote?

Zhvillimi i robotit ka qënë një proces i vështirë për mua, të paktën deri tani. Për ta çuar idenë përpara, si fillim kërkohet njohuri rreth asaj me të cilën përballem. Më pas kërkon një fond, investim monetar. Dhe së fundmi një bashkëpunim me persona seriozë dhe të apasionuar.

Dëshira ime është që një ditë, pse jo, ky robot të jetë prodhim Shqiptar dhe të jetë i disponueshëm në treg.

Roboti SPAC

Po tani që pandemia mbaroi, ku mund ta përdorim robotin SPAC?

Pandemia ishte periudha e lindjes së SPAC-ut, unë tani kam shumë ide se si mund ta vë atë në dispozicion dhe në shërbim të shoqërisë. Një shembull i mirë do të ishin spitalet, ku për mendimin tim duke parë gjëndjen, ky robot është shumë i nevojshëm. Ai mund të përdoret për dezinfektimin e korridoreve, vendet me grumbullime njerëzish, dhe me shumë mundësi, sallat e operacioneve. Pra, fokusi im tani është mjekësia, aty mund ta implementoj këtë robot.

Çfarë dëshiron te bëhesh në të ardhmen, ku e sheh veten?

Ëndrra njeriu ka plot, por e mira është që secili të fokusohet aty ku ai/ajo e ndjen veten më mirë. Ëndrra ime që i vogël ka qënë fusha e teknologjisë. Është pasioni im. Shpresoj të fokusohem në këtë drejtim dhe ndoshta një ditë të kem biznesin tim në një fushë të re në Shqipëri, gjithnjë e lidhur me teknologjinë.

Ke një ide të re për të cilën je duke punuar aktualisht?

Aktualisht projekti më i madh që jam duke punuar këto kohë, është edukimi i vetvetes. Kam dëshirë t’ja mësoj disa rregulla dhe principe vetvetes të cilat më hapin rrugën për shumë projekte të tjera. Motivi im është: të mësoj një formulë për zgjidhjen e shumë ekuacioneve dhe jo të mësoj zgjidhjen e një ekuacioni të vetëm.