Çfarë është viti europian i Rinisë?
2022 është cilësuar si Viti Europian i Rinisë, i cili thekson rëndësinë e të rinjve europianë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, më të gjelbër, më gjithëpërfshirëse dhe digjitale. Gjatë këtij viti të rinjtë do të kenë me shumë mundësi për të mësuar, për të ndarë vizionin e tyre, për të takuar njerëz dhe për t’u angazhuar në aktivitete në të gjithë Europën. Viti Europian i Rinisë është momenti për të ecur përpara me besim dhe shpresë në një perspektivë post-pandemike.
Komisioni Europian do të koordinojë gjatë vitit 2022 një sërë aktivitetesh në bashkëpunim të ngushtë me Parlamentin Europian, Shtetet Anëtare, autoritetet rajonale dhe lokale, organizatat rinore dhe vetë të rinjtë. Iniciativat që po zhvillohen në kuadër të Vitit Europian të Rinisë do të mbështeten me 8 milionë euro nga Erasmus+ dhe korpusi Europian i Solidaritetit.
Të rinjtë europianë do të kenë shumë mundësi për të fituar njohuri, aftësi dhe kompetenca për zhvillimin e tyre profesional dhe për të forcuar angazhimin e tyre qytetar për të formësuar të ardhmen e Europës.

Zëvendëspresidenti për Promovimin e Jetesës Europiane, Margaritis Schinas, tha: “Kjo marrëveshje është një bllok kyç ndërtimi në politikën tonë për të rinjtë. Buxheti i dedikuar i këtij viti do të mbështesë veprimet tona kryesore. Me Vitin Europian të Rinisë 2022, ne po mbështesim të rinjtë europianë për të mbrojtur dhe promovuar lirinë, vlerat, mundësitë dhe solidaritetin. I detyrohemi gjeneratave që vuajtën më shumë në pandemi dhe tani duhet të rimarrin jetën e tyre.”
Komisionerja për Inovacionin, Kërkimin, Kulturën, Arsimin dhe Rininë, Mariya Gabriel tha: “Falenderoj bashkë-ligjvënësit që kanë gjetur një marrëveshje për Vitin Europian të Rinisë në një kohë rekord. Ne të gjithë e kuptojmë rëndësinë e vendosjes së të rinjve në qendër të vëmendjes dhe festojmë qëndrueshmërinë e tyre pas dy vitesh shumë sfiduese. Ftoj të gjithë të rinjtë europianë të marrin pjesë në angazhimet, iniciativat dhe aksionet e shumta që do të nisim. Ne duam të dëgjojmë zërin e tyre dhe të informojmë vendimet që do të marrim për të ardhmen e tyre. Ne duam që ky vit të përkthehet në veprime konkrete që do të zgjasin edhe përtej 2022. Së bashku, ne do ta bëjmë këtë vit një sukses.”
Për të nderuar, mbështetur dhe angazhuar të rinjtë në të gjitha nivelet, Viti Europian i Rinisë do të ndjekë këto katër objektiva:
- Rinovimi i perspektivave pozitive për të rinjtë, me fokus të veçantë në efektet negative që pati mbi ta pandemia e COVID-19, duke theksuar se si tranzicioni i gjelbër dhe ai digjital si edhe politikat e tjera të Unionit, ofrojnë mundësi për të rinjtë dhe për shoqërinë në përgjithësi;
- Mbështetja e të rinjve, duke përfshirë punën me të rinjtë, veçanërisht të rinjtë me më pak mundësi, me prejardhje të pafavorizuara dhe të ndryshme ose që u përkasin grupeve të cënueshme dhe të margjinalizuara, për të fituar njohuri dhe kompetenca përkatëse dhe kështu të bëhen qytetarë aktivë dhe të angazhuar, të frymëzur nga një ndjenjë europiane e përkatësisë;
- Mbështetja e të rinjve për të kuptuar më mirë dhe promovimi aktiv i mundësive të ndryshme në dispozicion të tyre, qoftë nga niveli i BE-së, kombëtar, rajonal apo lokal, për të mbështetur zhvillimin e tyre personal, social, ekonomik dhe profesional.
- Integrimi i politikës rinore në të gjitha fushat përkatëse të politikave në përputhje me Strategjinë e BE-së për Rininë 2019-2027 për të inkurajuar që një perspektivë rinore të futet në politikbërje në të gjitha nivelet.
Ndikimi dhe trashëgimia e të gjitha aktiviteteve dhe mundësive të angazhimit duhet të jetë afatgjatë, përtej vitit 2022. Ndërsa programet ekzistuese të BE-së kushtuar rinisë, si Erasmus+ dhe Korpusi Europian i Solidaritetit, padyshim do të luajnë një rol qendror në zbatimin dhe financimin e aktiviteteve, Viti Europian i Rinisë synon të jetë ndërsektorial dhe të ndërtohet mbi të gjitha politikat e BE-së.
Gjithashtu këtë vit kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, është zgjedhur kryeqyteti Europian i Rinisë për vitin 2022.
Tirana EYC 2022 paraqytet si një marko program dhe mundësi fantastike që do të zgjasë 365 ditë, gjatë të cilave do t’i jepet jetë një kalendari projektesh me iniciativa e aktivitete të shumta, të cilat do të mbulojnë një gamë të gjerë tematikash e prioritetesh që kanë në qendër rininë, në nivel kombëtar, rajonal dhe europian.
Ky progam synon të fuqinojë rininë duke krijuar mundësi të reja e duke i dhënë asaj një dimension europian. Ndër të tjera, programi synon:
-Të sjellë ndryshime pozitive;
-Të inkurajojë pjesëmarrjen aktive;
-Të promovojë dhe të mbrojë diversitetin dhe gjithëpërfshirjen;
-Të rrisë investimet për të rinjtë;
-Të transformojë qytetin në një pikë ndërkombëtare takimi;
-Të krijojë rrjetëzime dhe sinergji mes të rinjve nga e gjithë Europa.

Burimet:
https://europa.eu/youth/year-of-youth_en
https://ec.europa.eu/commission/presscorner/detail/en/ip_21_6648
https://tiranaeyc2022.al/