Shëndetësia digjitale është veçanërisht e dobishme për të monitoruar dhe përmirësuar çështjet e vazhdueshme shëndetësore!

Ju ka ndodhur të keni dëgjuar shumë për shëndetësinë digjitale kohët e fundit? Pandemia Covid-19 i përballi shtetet me sfida të cilat nuk ishin menduar më parë. Duke nisur nga mbledhjet e punës virtuale, mësimi digjital, blerjet online, puna nga shtëpia e deri te shërbimet shëndetësore digjitale.


Lidhja me mjekun në formë digjitale është një mënyrë e shkëlqyeshme për të marrë kujdesin shëndetësor që ju nevojitet nga komoditeti dhe siguria e shtëpisë tuaj.

Çfarë do të thotë shëndetësi digjitale?
Shëndetësia digjitale (Telehealth) – shpesh e quajtur edhe telemjekësi – i jep mundësi mjekut tuaj të kujdeset për shëndetin tuaj, pa një vizitë personale fizike në klinikë apo spital. Shëndetësia digjitale zhvillohet nëpërmjet internetit për të gjithë personat që kanë qasje në internet.

Disa mundësi për shëndetësinë digjitale.

Duke qenë pjesë e shërbimeve virtuale, ka disa mënyra se si pacientët mund të përfitojnë prej lehtësirave të ofruara nga shëndetësia digjitale:

  • Biseda drejtpërdrejt përmes telefonit ose bisedës me video me mjekun tuaj;
  • Dërgimi dhe marrja e mesazheve nga mjeku juaj duke përdorur mesazhe apo e-mail nëpërmjet platformave të sigurta për komunikacion. Në këtë mënyrë mbrohet edhe natyra e informacionit që shkëmbehet online;
  • Monitorimi në distancë në mënyrë që mjeku juaj të mund t’ju kontrollojë në shtëpi. Për shembull, ju mund të përdorni një pajisje për të mbledhur shenja vitale të organeve tuaja. Këto pajisje dërgojnë të dhënat direkt te mjeku juaj, i cili qëndron i përditësuar në kohë reale për përparimin ose përkeqësimin e gjendjes tuaj.
  • Në rastet kur pacientët nuk kanë lidhje të qëndrueshme me internetin apo një pajisje aksesimi, ekzistojnë shumë librari, qendra interneti apo qendra komunitare të cilat veç të tjerash, prej pandemisë globale, tashmë ofrojnë dhe mundësinë për të hyrë në shëndetësinë digjitale (telehealth).

Çfarë kujdesi mund të marr duke përdorur shëndetësinë digjitale?

Ju mund të merrni një shumëllojshmëri të kujdesit të specializuar përmes shëndetësisë digjitale. Shëndetësia digjitale është veçanërisht e dobishme për të monitoruar dhe përmirësuar çështjet e vazhdueshme shëndetësore, të tilla si ndryshimet e ilaçeve ose kushtet kronike të shëndetit.

Në çdo rast është mjeku juaj që do të vendosë nëse tele-shëndetësia është e përshtatshme për nevojat tuaja shëndetësore.

Mjeku juaj gjithashtu mund t’ju kërkojë të dërgoni informacione që do të ndihmojnë në përmirësimin e shëndetit tuaj si:

  • Pesha juaj, presioni i gjakut, sheqeri në gjak ose informacione të tjera jetësore;
  • Imazhet e një plage, gjendjes së syve ose lëkurës;
  • Një dosje shëndetësore;
  • Të dhëna mjekësore që mund të paraqiten edhe tek një mjek tjetër, siç janë rrezet X;
  • Mjekët mund t’ju dërgojnë informacion për të menaxhuar shëndetin tuaj në shtëpi:
  • Njoftime për të bërë ushtrime rehabilitimi ose për të marrë ilaçe;
  • Sugjerime të reja për përmirësimin e dietës, lëvizshmërisë ose menaxhimit të stresit;
  • Udhëzime të hollësishme se si të vazhdoni kujdesin tuaj në shtëpi;
  • Inkurajim për t’iu përmbajtur planit tuaj të trajtimit.

Përfitimet e tele–shëndetësisë

Numri i kontrolleve mjekësore virtuale po shtohet dita ditës.

Megjithëse vizitat në klinikë mund të jenë të nevojshme në raste të caktuara, shëndetësia digjitale ofron shumë përfitime si:

  • Për shkak të pandemisë dhe kufizimeve që ajo sjell, kjo formë e shëndetësisë zvogëlon ekspozimin dhe rrezikun e infektimit;
  • Vizitat virtuale sigurojnë që të merrni kujdes shëndetësor kudo që të jeni;
  • Vizitat virtuale shkurtojnë udhëtimet deri në klinikë, lejen që ju merni nga puna dhe nevojën për kujdesin e fëmijëve;
  • Mjetet virtuale të kujdesit shëndetësor mund të shkurtojnë pritjen për një takim;
  • Ju gjithashtu keni akses tek specialistë të cilët ndodhen shumë larg qytetit tuaj të lindjes apo banimit.

Megjithatë, shëndetësia digjitale nuk është një përshtatje perfekte për të gjithë ose për çdo rast mjekësor. Sigurohuni që të diskutoni për disavantazhet ose rreziqet me mjekun tuaj.

Theksojmë që të dhënat më lart janë nxjerrë nga shërbimi shëndetësor në spitalet në SHBA

Lexo të rejat më të fundit këtu