TechTalks është një iniciativë e Drejtorisë së Inovacionit pjesë e DPTIIDH, që paraqet sipërmarrësit lokalë që ndihmojnë në forcimin e ekosistemit tonë. Duke ftuar themeluesit t’u përgjigjen pesë pyetjeve, ne duam të nxjerrim ne pah historitë dhe modelet më frymëzuese të ekosistemit tonë. Shpresojmë që duke u ofruar themeluesve të startup-eve një hapësirë për të ndarë njohuritë dhe përvojën e tyre, të gjithë do të mësojmë dhe do të rritemi së bashku.

Si ju ka ndihmuar karriera juaj me themelimin e startup-it tuaj?

Angazhimet e para në sipërmarrje kanë qënë për mua në mbështetje të manaxhimin e një biznesi familjar e sezonal, në fushën e turizmit dhe kulinarisë, që në moshën 17 vjeçe. Këtu mësova rëndësinë e trajtimit të klientit e konsumatorit. Më pas, përgjatë studimeve në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti I Tiranës, mora pjesë në konkurse të planeve të biznesit, ndër to të organizuar nga OECD dhe Unique Junior Enterprise. Tek ky i fundit, u bashkangjita si pjesë e skuadrës, në rolin e Head of Partnerships, shumë shpejt pas pjesëmarrjes në disa evente në kampus. Ky angazhim në aktivitete jashtë-kurrikulare, është kyç për krijimin e lidhjeve me tregun e punës, për të krijuar kontaktet e para jashtë kampusit dhe për të nisur kështu aplikimin e teorive të mësuara në programet universitare.

Në vijimësi, u prezantova me shumë metodologji dhe praktika të sipërmarrjes nëpërmjet shkëmbimeve rinore dhe trajnimeve nga Komisioni Evropian, të cilat me ndihmonin të përforcoja njohuritë në këtë fushë dhe të organizohesha se si t’i përcillja këto njohuri tek studentët në Shqipëri. Pas thuajse 10 vitesh në këtë fushë, kam krijuar besimin se aftësitë e sipërmarrjes nuk fitohen vetëm në detyra të lidhura drejtpërsëdrejti me krijimin e një biznesi. Ato mund të përfitohen dhe si rrjedhoje e angazhimeve qytetare, puna vullnetare, role të ekspertit në fusha të caktuara, puna kërkimore, e të tjera. Po ashtu, studentet sot duhet të inkurajohen për të studiar më gjërë se sa programet universitare, pasi konkurenca me të cilën ato përballen nuk është më shoku/shoqja e klasës, por studentët në mbarë botën.

Kur u zhvendosa në Danimarkë, në 2015, shumë shpejt u bëra pjesë e insitucionit Venture Cup, duke drejtuar zyrën përfaqësuese të organizatës në Universitetin e Aarhus, aty ku po kryeja dhe studimet master. Detyrat e mia ishin organizimi i eventeve me qëllim edukimin e studentëve në fushën e sipërmarrjes, dhënia e leksioneve në klasa “multidisiplinare” kur ndërlidhja tematikën e lëndës përkatëse me sipërmarrjen, përgatitja e grupeve të studentëve për kompeticione kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe ngritja e modeleve të reja të biznesit për të mbështetur sipërmarrjet e studentëve. Nga këtu, trajnoja mbi 80 start-ups në vit, dhe prezantoja për  300+  studentë në vit mbi këtë fushë, gjë e cila më krijoi mundësinë të njihesha me CELLUGY, dhe të ndërmerrja rolin e konsulentes për investimet fillestare në kompani dhe strategjitë e komunikimit me palët e treta. Në të njëjtën kohë, zyrtarizova dhe marrëdhënien me Universitetin e Aarhusit si lektore e lëndës Inovacion i aplikuar në Inxhinieri, e Menaxhere Projektesh per komercializimin e punes kerkimore per stafin akademik ne Departamentin e Inxhinjerisë.

Çdo karrierë lë vend për t’u “vërvitur” në një rrugë tjetër nga ajo tradicionalia, dhe për të menduar sipërmarrjen si një opsion të mundshëm dhe me shumë vlerë. Ajo c’ka mund të bëni fillimisht, është një rishikim-rivlerësim mbi burimet që ju zotëroni, duke u nisur nga vetja, e më gjërë në rrjet/njohje, njohuri/aftësi/ekspertizë,  para e prona, e të tjera.

Cilat kanë qënë disa nga sfidat më të mëdha për ju?

Në rastin tim specifik, vështirësia më e madhe ka qënë lidhur me faktin se po punoja në fushën e sipërmarrjes në një vend të Evropës Perëndimore, por me një pashaportë Shqiptare, gjë e cila të privonte herë pas here në ndërmarrjen e riskut për t’u përfshirë 100% në rolin e sipërmarrësit. Kjo për shkak të rregullave të emigracionit, të cilat janë jashtë kontrollit tim. Ndaj, duke mos dashur të fokusohem në faktorë ndikimi që nuk i ndryshoj dot, po e quaj që sfida më e madhe ka qënë të manovroj disa pozicione pune njëkohësisht, pa humbur ndërkohe, me aq mundësi të gjendura, lidhjen me veten, miqtë e familjen. Nga ana tjetër, dhe pse më vjen jo mirë ta them, gratë dhe vajzat në sipërmarrje duhet të përballen me skepticizëm dhe plot dyshime përkundrejt aftësive që ato kanë, ndaj dhe shpesh herë duhet të punojmë me më shumë intensitet për t’i provuar tregut që të qenit  denje për të drejtuar një sipërmarrje nuk përcaktohet nga gjinia, por nga misioni që një njeri ka dhe përkushtimi ndaj këtij misioni. Për këtë arsye e të tjera, prej një viti kam nisur një Podcast të thjeshte e modest, HER Frequency (Frekuenca e Saj), ku trajtojmë tema mbi fuqizimin e gruas në STEM dhe sipërmarrje.

Cilat kanë qënë disa nga fitoret më të mëdha të angazhimit tuaj?

Fitoret për CELLUGY kanë qenë të lidhura me investimet e fituara nga Komisioni Evropian në 2020, dhe çmimet ndërkombëtare si vendi i parë në kompeticionin global të paketimit “PackBridge” dhe “Global Innovation Summit” në 2019. Nga ana tjetër, për mua fitorja më e madhe është të kem gjetur një skuadër me të cilën dua shumë të punoj, pasi  ndajmë të njejtat vlera, dhe se kemi krijuar një koncept materialesh të ekonomisë qarkulluese për të cilin tregu dhe natura ka shume nevojë. Po ashtu, nëpërmjet punës me sipërmarrjen, fitore shumë e rëndësishme për mua është kur dëgjoj se studente të mitë apo të rinj që kam konsultuar, po zhvillohen shumë profesionalisht si sipërmarrës apo dhe specialistë të fushës.

Cilat janë disa nga nevojat specifike të CELLUGY?

CELLUGY për momentin po rrit kapacitet prodhuese të materialit EcoFLEXY, dhe po ndërmerr bashkëpunime për kompani në fushën e paketimit, industrinë kimike dhe atë të kujdesit personal. Investimet janë kyç për zhvillimin më tej të CELLUGY, ndaj ne jemi në fazën e serisë A të rritjes së fondeve të kapitalit sipërmarrës. Në vijimësi, është me shumë rëndësi edukimi i tregut mbi praktikat e ekonomisë qarkulluese në lidhje me materialet e madhesise nano dhe me prejardhje nga natyra, siç është celuloza.

A mendoni të investoni edhe në Tiranë?

CELLUGY është themeluar në Aarhus të Danimarkes, nga të rinjë nga Spanja dhe Indonezia, nga ku iu bashkova skuadrës si bashkëpronare së bashku me një koleg Danez. Sot, skuadra është me mbi 10 punonjës me kohe të plotë, përfshirë këtu dhe praktikantët apo pozicionet e studentëve, dhe përfaqësohet me mbi 8 kombësi, gjë e cila është avantazh konkurues për kompaninë. Me shumë dëshirë në të ardhmen, do doja të vendosja operacione të kompanisë në Tiranë. Së fundmi, bashkë me kolegë të tjerë tepër të angazhuar në Shqipëri, kemi hapur zyrën e World Business Angels Investment Forum, për të lehtësuar e përmirësuar investimet nga biznesmenë engjëj, drejt start-up. Tirana është plot gjallëri, kulturë e aktivitet ekonomik, dhe mund të shërbejë mjaft mirë për të rritur biznesin jo vetëm në Kryeqytet, por dhe në qytete të tjera të Shqipërisë. 

Nëse doni të ndani historinë tuaj me ekosistemin tonë lokal, mund të na kontaktoni me email: digital@tirana.al