TechTalks është një iniciativë e Drejtorisë së Inovacionit pjesë e DPTIIDH, që paraqet sipërmarrësit lokalë që ndihmojnë në forcimin e ekosistemit tonë. Duke ftuar themeluesit t’u përgjigjen pesë pyetjeve, ne duam të nxjerrim ne pah historitë dhe modelet më frymëzuese të ekosistemit tonë. Shpresojmë që duke u ofruar themeluesve të startup-eve një hapësirë për të ndarë njohuritë dhe përvojën e tyre, të gjithë do të mësojmë dhe do të rritemi së bashku.

Si ju ka ndihmuar karriera juaj me themelimin e biznesit tuaj?

Eksperienca ime e punës në shoqëri “Big Four” ka ndikuar në formimin tim si profesionist dhe intuitën si investitor. Hapat e hedhur me rradhë dhe njohja e klientëve në strukturë më kanë ndihmuar të kuptoj nevojat, avantazhet dhe disavantazhet e tyre për të ofruar zgjidhje për çdo proces. Pasioni, analiza dhe kërkimet e vazhdueshme më kanë ndihmuar të ndjek zhvillimet më të fundit dhe të mundësoj aplikimin e tyre me anë të Smartwork, dhe së fundmi me UnitSystem. Të dyja shoqëritë ofrojnë shërbime të domosdoshme për proceset e përditshme të bizneseve moderne, për të cilat këto të fundit janë të gatshme të investojnë vazhdimisht në inovacione. Zgjedhja ime ka qenë të punojmë në treg të huaj në mënyrë që të sjellim njohuri praktike dhe kulturën ndërkombëtare të punës në Shqipëri.  

Cilat kanë qënë disa nga sfidat më të mëdha për ju?

Një ndër sfidat më të mëdha ka qenë motivimi i kolegëve për të qëndruar në Shqipëri. Ne njihemi si një popull punëtor, i zgjuar dhe ambicioz. Me eksperiencën e fituar në Smartwork në anën profesionale, njohjen e tregut të huaj dhe kulturën ndërkombëtare të biznesit, shumë të rinj kanë marrë oferta për të punuar në shoqëri të huaja. Personalisht, e kuptoj dëshirën e tyre dhe vlerësoj iniciativat që marrin, por hapat duhen hedhur të mirëmenduar dhe me vizion afatgjatë. Jam krenar që Smartwork formon baza të tilla, por jam aty për të këshilluar dhe mbështetur secilin në zgjedhjen e duhur.

Cilat kanë qënë disa nga fitoret më të mëdha të angazhimit tuaj?

Fitoret më të mëdha lidhen me kolegët. Së pari, çdo person në Smartwork ka hapësirë të jetë vetvetja, të shprehë mendimin dhe të kërkojë zhvillimin e tij profesional. Treguesi më i mirë i kësaj janë aplikantët e shumtë, të cilët kanë dëgjuar për Smartwork nga stafi i brendshëm. Ky është marketingu dhe investimi më i mirë.

Suksesi im personal është i lidhur me suksesin e kolegëve. Ata që janë rritur në Smartwork dhe kanë zgjedhur të qëndrojnë, na ndihmojnë për të zhvilluar këtë ishull teknologjik, i cili u shërben klientëve ndërkombëtarë. Gjithashtu, jam krenar për kolegët e larguar dhe sukseset e tyre.

Projektet interesante dhe klientët ndërkombëtarë ofrojnë mundësi zhvillimi. Në fillim ishim gjithmonë në kërkim të projekteve më të mira. Sot, në sajë të emrit të mirë të shoqërisë dhe ekipeve të kualifikuara, shoqëritë e huaja kërkojnë bashkëpunim. Tashmë jemi në fazën, ku ne kemi mundësi të zgjedhim. Projektet janë faktor kryesor në motivimin e secilit.

Cilat janë disa nga nevojat specifike në biznesin tuaj?

Bazuar në modelin tonë të biznesit, nevojat kryesore kanë të bëjnë me mbështetjen nga arsimi profesional. Çdo ditë punojmë në profilizimin e individëve për t’i përgatitur për profesionet e së ardhmes, me programin tonë “Rebrand yourself!”. Do sugjeroja më shumë aktivitete për angazhimin e të rinjve, në mënyrë që të kuptojnë ku dëshirojnë të profilizohen dhe investohen profesionalisht. Nëse mësohen me kulturën e punës, frymën e bashkëpunimit dhe marrjen e iniciativës për të mësuar gjëra të reja në moshë të re, do ta gjejnë veten shumë shpejt në tregun e punës dhe në risitë e fundit teknologjike.

Konkurrentët tanë janë shoqëritë ndërkombëtare. Kjo sjell nevojën e mbështetjes së industrisë së teknologjisë me iniciativa shtetërore nga ana fiskale duke hequr tatimin mbi fitimin personal për punonjësit në industrinë e IT-së. Të njëjtat iniciativa po merren nga Maqedonia, Bullgaria, Serbia, etj. Jemi ende në kohë për të qenë konkurrues ndaj tyre. Duhet ta shfrytëzojmë potencialin natyror që kemi, për të kthyer talentet dhe tërhequr “Digital Nomads”. Përfitimet janë të shumta duke nisur nga shkëmbimi i eksperiencës profesionale në njohjen e kulturave të shteteve të ndryshme të botës. Kështu, kufijtë do jenë vetëm tokësorë.

Përse keni zgjedhur Tiranën për të themeluar dhe rritur biznesin tuaj?

Tirana është kryeqyteti i rinisë, qyteti që nuk fle kurrë. Kjo është karakteristikë e kreativitetit, të cilin e gjen në çdo kënd të saj. Në Smartwork ka shumë të rinj, të cilët me gjallërinë e tyre na përfshijnë të gjithë, na bëjnë të ndihemi të barabartë, pa dallim moshe apo eksperience, dhe t’i shohim situatat në këndvështrime të ndryshme. Organizimet na mundësojnë të bisedojmë, të njohim dhe të mësojmë nga njëri tjetri. Tirana ka vende shumë të bukura për ne dhe partnerët tanë, të cilët kthehen me shumë dëshirë.

Si e shikoni Smartwork gjatë 5 vjeçarit të ardhshëm?

Vizioni im për Smartwork shkon përtej biznesit. Ndër të tjera, Smartwork do të shërbejë si një shkollë karriere për të rinjtë, si një bazë e fortë për të gjithë ata që duan të zhvillohen më tej dhe si pjesë e jetës së atyre që besuan që në hapat e parë. Dëshiroj që Smartwork të jetë si një program open source, ku të gjithë të kontribuojnë lirisht dhe gjurma e tyre të mbetet në kohë.

Demokratizimi i teknologjisë po përmirëson në mënyrë eksponenciale jetën e të gjithë personave pavarësisht vendndodhjes. Pas pandemisë njerëzit vlerësojnë shëndetin, familjen dhe marrëdhëniet e ngushta. Po hedhim themelet drejt komunitetit teknologjik në Tiranë. Për mua nuk është ëndërr, që në vitin 2030, ne do kemi arritur të risjellim ata persona, të cilët sot po largohen.