TechTalks është një iniciativë e Drejtorisë së Inovacionit pjesë e DPTIIDH, që paraqet sipërmarrësit lokalë që ndihmojnë në forcimin e ekosistemit tonë. Duke ftuar themeluesit t’u përgjigjen pesë pyetjeve, ne duam të nxjerrim në pah historitë dhe modelet më frymëzuese të ekosistemit tonë. Shpresojmë që duke u ofruar themeluesve të startup-eve një hapësirë për të ndarë njohuritë dhe përvojën e tyre, të gjithë do të mësojmë dhe do të rritemi së bashku.

Si ju ka ndihmuar karriera juaj me themelimin e Dupron?

Çdo punë që kam bërë ka qenë shumë e rëndësishme në formimin tim dhe më ka ndihmuar të jem më i kthjellët në vendimet që marr dhe të bëj hapa më të sigurtë në punën që bëj sot.

Puna ime e parë ka qenë në fushën e shërbimit e cila më ka mësuar si të sillem me klientët për të shitur një produkt. Këto mësime më kanë ndihmuar shumë edhe me Dupron dhe qasjen tonë me klientët.

Më pas kam punur si supervizor në CEZ-Albania, një punë që më ka ndihmuar shumë të jem më i organizuar dhe të përmirësoj punën në grup. Gjithashtu puna në postin e menaxherit të shitjes tek Fujitsu më ka ndihmuar të përmirësoj komunikimin dhe aftësitë për të prezantuar produktin dhe për të negociuar me klientët, gjë e cila më ka shërbyer tej mase edhe sot ku me duhet të negocioj me grupet e interesit që përdorin Dupron. Për disa vite kam punuar edhe në fushën e agjensive imobiliare dhe gjatë asaj kohe preka më nga afër problematikat reale të këtij tregu në vendin tonë.

Cilat kanë qenë disa nga sfidat më të mëdha për ju?

Sfida ime më e madhe ka qenë konceptimi i aplikacionit Dupron pasi kalimi në një fushë të re si IT për të cilën kisha shumë pak informacion ishte një vështirësi e madhe. Për këtë arsye zgjodha të bëj disa kurse për të kuptuar më mirë fushën e programimit të cilat më pas më shërbyen në konceptimin e  aplikacionit  Dupron.

Cilat kanë qenë disa nga fitoret më të mëdha të angazhimit tuaj?

Ditën kur u bë e mundur që Dupron të shkarkohej në app store dhe play store ishte një nga momentet më të bukura pasi për ndërtimin e Dupron ne kemi shpenzuar 2.5 vite dhe dukej sikur i gjithë mundi jonë tashmë kishte përfunduar dhe kushdo mund ta prekte idenë tonë.

Moment tjetër është kur ne nisëm të lidhim kontratat e para me klientët të cilët donin të regjistronin pronat e tyrë në aplikacionin tonë. Kur njerzit të besojnë motivohesh që besimin që ata të japin t’ua kthesh mbrapsht duke bërë të mundur edhe rritjen e përfitimeve që ata duhet të kenë duke përdorur Dupron.

Cilat janë disa nga nevojat specifike të Dupron?

Dupron ka nevojë për grante pasi nëpërmjet një investimi ky aplikacion mund të bëhet e vetmja platforme reklamimi dhe administrimi të pronave ku persona të ndryshëm të drejtohen.

Përse keni zgjedhur Tiranën për të themeluar dhe rritur biznesin tuaj?

Duke qenë se Dupron eshtë një aplikacion i cili është i fokusuar në prona, Tirana i plotëson më së miri kushtet për krijimin e kësaj ideje pasi është një vend i cili po zhvillohet me ritme të shpejta. Sektori i ndërtimit është një sektor i cili po shënon rritje të shpejta dhe mendoj që mungon një aplikacion në vendin tonë i cili bën bashkë firmat e ndërtimit, agjentët imobiliarë dhe pronarët e pronave. Gjithashtu Tirana po shikon rritje edhe nga personat që duan të investojne në prona dhe mendoj që Dupron për këta blerës luan një rol kyç pasi ata do ta kenë më të lehtë të shohin se ku ndodhet prona dhe facilitetet që ajo ka pranë.

Nëse doni të ndani historinë tuaj me ekosistemin tonë lokal, mund të na kontaktoni me email: digital@tirana.al