TechTalks është një iniciativë e Drejtorisë së Inovacionit pjesë e DPTIIDH, që paraqet sipërmarrësit lokalë që ndihmojnë në forcimin e ekosistemit tonë. Duke ftuar themeluesit t’u përgjigjen pesë pyetjeve, ne duam të nxjerrim ne pah historitë dhe modelet më frymëzuese të ekosistemit tonë. Shpresojmë që duke u ofruar themeluesve të startup-eve një hapësirë për të ndarë njohuritë dhe përvojën e tyre, të gjithë do të mësojmë dhe do të rritemi së bashku.

Si ju ka ndihmuar karriera juaj me themelimin e ARRA?

Gjatë eksperiencës time më ka takuar të gjendem si në rolin e punëdhënësit ashtu edhe në atë të punëmarrësit. Për një biznes është thelbësisht i rëndësishëm vendimi se cilin kandidat të marrë në bord, ashtu siç është i vështirë edhe vendimi i një kandidati potencial, se cilës kompani t’i bashkohet. Duke u gjendur midis të dyja palëve, individit dhe interesave të biznesit, procesi në vetvete më mësoi në identifikimin e nevojës reale që biznesi ka në kapital human dhe nga ana tjetër nevojën e individit nga kontraktori për maksimizimin e potencialit të vet.

Cilat kanë qenë disa nga sfidat më të mëdha për ju?

Bizneset shpesh nuk kanë strukturat e nevojshme apo edhe kohën që të investohen për rritjen dhe pozicionimin e duhur të punonjësve, dhe i drejtohen tregut për punonjë më me eksperiencë. Jo gjithmonë rekrutimi i punonjësve të rinj është përgjigjja më efektive për biznesin kur ka një nevojë. Në këtë kuader ne ofrojmë një shërbim që njihet si “talent development” i cili në thelb konsiston në identifikimin e talenteve, aftësive të personelit ekzistues dhe pozicionimin e tyre në rolin e duhur brenda kompanisë për të maksimizuar përfitimin për të dy palet, biznesin dhe punemarrësin. Gjatë këtij procesi identifikohen dhe nevojat për trajnime në përputhje me objektivat afashkurtër e afatmesëm të kompanisë.

Cilat kanë qenë disa nga fitoret më të mëdha të angazhimit tuaj?

Përqafimin e idesë nga bashkëpunëtor që janë të gatshëm të ndajnë të njëjtin vizion me ne. Nuk do më pëlqente kurresesi t’i quaja klientë pasi ndërveprojmë bashkë në krijimin e një ekosistemi të qëndrueshëm dhe afatgjatë

Cilat janë disa nga nevojat specifike të ARRA?

Mundësinë për të krijuar kurikula të përshtatshme TIK dhe zhvillimi personal për tregun e punës në bashkëpunim me universitetet dhe kolegjet.

Përse keni zgjedhur Tiranën për të themeluar dhe rritur biznesin tuaj?

Ka shumë arsye. Tirana mbart në vetvete shumë të rinj të talentuar, të cilët punojnë fort për të ndryshuar e në një mënyrë ose një tjëtër të lënë gjurmë në histori. Praktikisht 2022 na shënon kryeqytetin e të rinjve për një arsye. Bashkinë e Tiranës e kam gjetur të hapur ndaj inovacioneve, të rinjve dhe të interesuar për bashkëpunim për ta bërë këtë vit me evente të rëndësishme në këtë aspekt.

Jemi duke kontribuar me potencial edhe jashtë kufinjve të Shqipërisë. Praktikisht ne që po jetojmë këtu kemi përgjegjësinë kolektive që ta rregullojmë dhe të kontribuojmë me gjithçka mundemi për ta bërë këtë vend më të mirë. Nuk mund të presim përherë nga faktorë të jashtëm ose vetëm shteti të rregullojë diçka, për të cilën dhe ne mund të veprojmë. Do isha për t’i dhënë fund ankesave dhe të fillonim të vepronim të gjithë për të gjetur e aplikuar zgjidhje të situatash të vogla, që ngrenë dhe mbajnë sisteme të mëdhaja.

Nëse doni të ndani historinë tuaj me ekosistemin tonë lokal, mund të na kontaktoni me email: digital@tirana.al