TechTalks është një iniciativë e Drejtorisë së Inovacionit pjesë e DPTIIDH, që paraqet sipërmarrësit lokalë që ndihmojnë në forcimin e ekosistemit tonë. Duke ftuar themeluesit t’u përgjigjen pesë pyetjeve, ne duam të nxjerrim ne pah historitë dhe modelet më frymëzuese të ekosistemit tonë. Shpresojmë që duke u ofruar themeluesve të startup-eve një hapësirë për të ndarë njohuritë dhe përvojën e tyre, të gjithë do të mësojmë dhe do të rritemi së bashku.

Si ju ka ndihmuar karriera juaj me themelimin e biznesit tuaj?

Unë jam diplomuar si mësuese e përkthyese e gjuhës italiane. Më pas kam zhvilluar për 3 vite studime për psikologji dhe gjatë pandemisë fillova masterin për Administrim Biznes. Jam njeri që dua të mësoj dhe jam vazhdimisht në metodën “Learning and Doing”.

Që në moshën 19 vjeçare kam punuar mesatarisht 12-14 orë në ditë, edhe dy punë. Kjo për arsyen se gjithmonë dua t’i shkoj gjërave shumë më thellë dhe nuk më pëlqen rruga e shkurtër. Profesionalisht mora rrugëtim tjetër kur fillova punën në një korporate italiane që bënte shërbim binzesi për kompani të huaja, nga Shkodra (Business Process Outsourcing BPO). Aty i kalova të gjitha shkallët hierarkike e mendoj që eksperienca dhe rritja profesionale që mora në atë kompani ka shënuar shtyllat për zhvillimin tim të mëtejshëm.

Profesionin si mësuese e përkthyese e kam ushtruar shumë pak. Por më ka shërbyer sepse trajnimet e mentorimin e kam pasion dhe prandaj e kam transformuar në metoda të reja e inovative të edukimit, gjë që sistemi shkollor nuk ma lejonte. Zhvillimi i biznesit apo i produkteve komerciale për një kompani ka ardhur në mënyrë shumë spontane, nga eksperienca. Si njeri jam shumë praktike e nuk më pëlqejnë zgjidhjet vetëm teorike. Une kam mësuar të jap zgjidhje praktike që janë të implementuehsme lehtë e shpejt për biznesin, gjë që edhe më është shpërblyer me besueshmërinë që kemi krijuar në treg.

Cilat kanë qënë disa nga sfidat më të mëdha për ju?

Unë jam vajza, motra, mikja, gruaja e nëna e dikujt, dhe përveç kësaj kur unë e kam filluar rrugëtimin në këtë sektor të biznesit që operoj edhe sot, industria e manaxhimit, teknologjisë e biznesit kishte dominancë mashkullore dhe të qenurit femër ma ka vështirësuar shumë rrugëtimin, duke mos ma bërë aspak të lehtë.  Sfida ma e madhe është gjetja e balancave mes karrieres e jetës personale. Por tashmë e kam kuptuar që duhet ta krijoj sepse balancat nuk kanë një formulë se si t’i gjejmë dhe meqë jam njeri kreativ, besoj do ta gjej shpejt.

Cilat kanë qënë disa nga fitoret më të mëdha të angazhimit tuaj?

Edukimin e të rinjve për zhvillim profesional dhe personal nuk e kam ndal asnjeherë, gjithashtu në veçanti edhe të grave që duan të integrohen në botën e sipërmarrjes dhe jo vetëm. Metodologjia që unë ndjek nuk është e lehtë, por funksionon dhe është afatgjatë. “Unë nuk du t’i mësoj me hangër peshk. Dua t’i mësoj me zanë peshk.”, prandaj e quaj fitore që kam trajnuar mbi 6000 persona vetëm në këto 5 vitet e fundit dhe shumë nga të rinjë që i kam patur në mentorim janë zhvillur e kanë hapur bizneset e tyre. Kemi një inkubator Startup-i brenda në Vigàn ku mentorojmë të rinjtë për t’i bërë gati për të dalë në treg dhe ndikojmë në mënyrën se si përceptohet sot industria e shërbimeve në Shqipëri.

Gjithashtu jam shumë krenare që e përfaqësoj Shqipërinë dhe këto të rinjë në shumë vende në botë në mënyrë që ata të arrijnë të prenatojnë në klimën e biznesit këtu fiks me ato standarte siç bota i do bashkëpunëtorët e vet.

Vigan Group ka vite në treg. Cilat janë arritjet dhe sfidat e kësaj kompanie?

Arritje mendoj që është edukimi i tregut në sektorin e shërbimeve të biznesit, por jo vetëm. Prej kohësh Vigàn Group në mënyrë direkte dhe indirekte ka ndikuar në instancë qeveritare për të rritur vlerësimin dhe shtuar ndërgjegjësimin mbi nevojat ekonomike, ligjore dhe manaxheriale të shërbimeve të biznesit, teknologjisë, aftësitë digjitale, si një mundësi zhvillimi ekonomik. Ky është një process që vazhdojmë ta bëjmë akoma edhe sot, në bashkëpunim të ngushtë me organizatën e bizneseve në Shqipëri për: R&D, ITO, BPO dhe SCC (ABSL Albania) dhe anëtarëve të saj.

Gjithmonë kam besuar dhe vazhdoj të besoj se Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet, duke qenë një popullsi dinamike, energjike dhe me moshë mesatare 36 vjeç. Ky është oportunitet i madh sepse teknologjia e shërbimet e biznesit, tashmë është e vërtetuar, që mund të na drejtojnë të ecim në një hap me botën. Gjithashtu edhe e partnerëve ndërkombëtarë e pa lënë aspak në harresë edhe e njerëzve që punojnë në këtë industri, që dikur quhej “turp” ose “profesion jo i denjë” kurse sot është profesioni më i kërkuar në treg.

Sfidat që kemi hasur si kompani, i takojnë të gjitha hallkave në proceset që janë përmendur më sipër, duke përfshirë këtu:

  • Edukimi i klimës së biznesit mbi sektorin e shërbimeve.
  • Manaxhimi dhe vlerësimi i stafit në industrinë e shërbimeve.
  • Vetë përmirësimi i vazhdueshëm si kompani që të ishim në një linjë me kërkesat e tregut global.
  • Sigurimi i cilësisë në çdo akt ndërmjetësimi komercial që Vigàn Group merr pjesë, duke ruajtur raporte të shkëlqyera me klientët e huaj e duke sjellë kapital në vendin tonë.

Përse keni zgjedhur Tiranën për të themeluar dhe rritur biznesin tuaj?

Përpara se të vija në Tiranë, edhe unë si shumë të rinj në atë kohë, shpëtimin e vetëm e shikoja jashtë vendit dhe deri në vitin 2010 e kisha ënderr sepse mendoja se andej ishte më e thjeshtë. Ashtu bëra, ika dhe punova për disa kohë jashtë Shqipërie. Pata sukses edhe atje, më ofruan edhe punë e detyrë me pagë shumë të mirë. Por për publikun, se ata që më njohin e dijnë, unë jam nacionaliste dhe realisht e dua vendin tim. Atje e kuptova se nuk duhet të ikim nga vështirësitë, por të përballemi: “Guri i ràndë peshon n’vend t’vet!” dhe prandaj vendosa të kthehesha.

Mundësitë në Shkodër për profesionin që unë kisha ishin pothuajse zero dhe prandaj kërkova punë në Tiranë. U stabilizova këtu. Nga fillimet e mija kam kuptu që duhet besim vizionari e punë e palodhshme për të ecur dhe ky qytet ta jep këtë mundësi: “Ku ka si Tirana lale!”.  Tirana është vendi i mundësive të mëdha. Është zhvilluar shumë që kur ne themeluam binzesin e parë Evolve në 2014 e deri më sot. Kapacitetet njerëzore, investimet dhe të qënit qendra më e zhvilluar e ekonomisë për Shqiperinë, e lehtëson procesin e çdo binzesi. Pa diskutim për këtë arsye headquarter e kemi këtu, sepse nga këtu mund të zhvillohen shumë lehtësisht edhe qendrat e tjera si: Shkodra e Korça apo edhe në shtetet e tjera ku i kemi zyrat sot. Sidomos pas pandemisë, kur digjitalizimit iu dha rëndësia e vëmendja që i takonte, kjo u bë më evidente për të gjithë.

Nëse doni të ndani historinë tuaj me ekosistemin tonë lokal, mund të na kontaktoni me email: digital@tirana.al