TechTalks është një iniciativë e Drejtorisë së Inovacionit pjesë e DPTIIDH, që paraqet sipërmarrësit lokalë që ndihmojnë në forcimin e ekosistemit tonë. Duke ftuar themeluesit t’u përgjigjen pesë pyetjeve, ne duam të nxjerrim ne pah historitë dhe modelet më frymëzuese të ekosistemit tonë. Shpresojmë që duke u ofruar themeluesve të startup-eve një hapësirë për të ndarë njohuritë dhe përvojën e tyre, të gjithë do të mësojmë dhe do të rritemi së bashku.

Si ju ka ndihmuar karriera juaj me themelimin e biznesit tuaj?

Karriera ime si software developer më ka ndihmuar të kuptoj mirë ciklin e zhvillimit të një software, hapat që duhet të ndiqen për ta bërë një produkt sa më të sigurtë, të shpejtë dhe efektiv dhe impaktin që ka një produkt i mirëndërtuar për përdoruesin fundor. Gjithashtu kam kuptuar hapat kryesor që duhet të ndiqen për të menaxhuar një ekip të përbërë nga inxhinierë software.  

Cilat kanë qënë disa nga sfidat më të mëdha për ju?

Në fillimet tona kemi hasur goxha vështirësi me legjislacionet përkatëse që prekin këtë industri të cilat nuk ishin të përditësuara sipas legjislacioneve europiane. Megjithatë me ndihmën e ministrit të sipërmarrjes Z. Eduard Shalsi i cili, pasi dëgjoi kërkesat e të gjithë industrisë, jo vetëm të kompanisë sonë, kishte vizionin e duhur për të propozuar ndryshimet e nevojshme në ligj, të cilat u aprovuan nga parlamenti dhe i hapën rrugë verifikimit në distancë të individit dhe si rrjedhojë facilituan hapjen e llogarive pa nevojën e pranisë fizike të individit.

Një sfidë tjetër është edukimi i konsumatorit për përdorimin e mënyrave të reja të pagesave. Nryshe nga shumë vende të BE-së, në Shqipëri shumica e konsumatorëve preferojnë akoma të paguajnë me para në dorë. Megjithëse statistikat tregojnë për një trend në rritje të përdorimit të metodave alternative të pagesave përsëri Shqipëria mbetet një vend që mbështetet shumë tek leku fizik.

Cilat kanë qënë disa nga fitoret më të mëdha të angazhimit tuaj?

Besoj se fitorja më e madhe për ne ka qenë gjetja e partnerëve të cilët kishin vizionin e duhur për të besuar në projektin RPAY si dhe në ekipin i cili ndërton, mirëmban dhe zhvillon sistemin.

Fitore tjetër e rëndësishme ishte mbledhja e fondeve nga investitorët e huaj të cilat do na japin mundësinë që të çertifikohemi për të ofruar shërbimet tona dhe ne vendet e BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ekspansioni në vendet e BE-së dhe  Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe rrit ndjeshëm numrin e klientëve potencial për RPAY.

Cilat janë disa nga nevojat specifike të RPAY?

RPAY si një startup ka nevojë të vazhdueshme për thithjen e talenteve të reja, dhe si pasojë ne jemi gjithmonë në rekrutim e sipër të kandidatëve potencial.

Një gjë tjetër që kemi nevojë është bashkëpunim i ngushtë me bankat në Shqipëri për ti mundësuar përdoruesve tanë një aplikacion i cili është sa më në përputhje me konkurentët tanë në botë.

Përse keni zgjedhur Tiranën për të themeluar dhe rritur biznesin tuaj?

Tirana është vendi i cili ka shumë inxhinierë software-i të klasit botëror dhe jam shumë i lumtur që shumë prej tyre i kemi pjesë të ekipit tonë. Tirana është gjithashtu një test mjaft i mirë për ambiciet tona për të zgjeruar shërbimet tona në Europë dhe Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe, kjo për vet faktin pasi ka shumë individë të cilët nuk janë mësuar të përdorin shërbime si ato që në ofrojmë. Nëse ne arrijmë të edukojmë një treg mjaft të vështirë siç është Tirana dhe Shqipëria dhe arrijmë të kapim objektivat tona, atëherë jemi shumë konfident që kur të ofrojmë shërbimet tona në EU dhe UK do ta kemi disi më të lehtë për të përthithur klientë potencial.

Si e shikoni Rpay gjatë 5 vjeçarit të ardhshëm?

Në 5 vjeçarin e ardhshëm RPAY e shoh si një nga kompanitë lider në fushën e Fintech në Shqipëri si dhe një kompani shumë stabël në Europë dhe Mbretërinë e bashkuar.

Nëse doni të ndani historinë tuaj me ekosistemin tonë lokal, mund të na kontaktoni me email: digital@tirana.al