Tirana u bë qyteti i parë në Shqipëri, prej Prillit 2017, me një bazë të dhënash për punët publike dhe shërbimet që ofron Bashkia e Tiranës, në funksion të rritjes së transparencës ndaj qytetarëve.

Bashkia e Tiranës menaxhon portalin “opendata.tirana.al”, i cili rrit transparencën dhe u ofron qytetarëve të dhëna të ndryshme për punët, investimet dhe çdo shërbim që kryhet në qytet. Programi vlerësohet si një hap drejt përmirësimit të shërbimit ndaj qytetarëve me një kosto më të ulët dhe rritjen e shërbimeve të digjitalizuara që Bashkia Tiranë synon të ofrojë.

Portali ndihmon edhe bashkinë për të përcaktuar se cilat janë prioritet në punët e qytetit, për të ndihmuar politikëbërësit për të marrë vendime dhe studiuesit në kryerjen e analizave të ndryshme.

Opendata është filozofia që mbështet shpërndarjen dhe publikimin e lirë të të dhënave pa kufizime ligjore, patenta apo mekanizma të tjerë kontrolli.

Bazuar në konceptin e opendata të dhënat janë:

  • lehtësisht tё aksesueshme;
  • të disponueshme pёr tё gjithё, pa asnjё kёrkesё pёr regjistrim, pa burokraci ose humbje kohe;
  • tё disponueshme pa kufizim licence;
  • tё plota dhe autentike;
  • nё nivelin mё tё detajuar tё mundshёm, jo nё forma tё pёrmbledhura ose tё modifikuara;
  • tё pёrpunueshme në portal (p.sh. paraqitje grafike).