Në datat 13-16 Tetor 2022, Kombëtarja Shqiptare e Robotikës, mori pjesë në “First Global Challenge 2022” ose lojërat Olimpike të Robotikës, të cilat u mbajtën në Gjenevë të Zvicrës.

Ky ekip nën drejtimin e mentorëve Juljan Grori dhe Eda Peshku me pjesëtar Ditri Çollaku, Arb Izeti, Samuel Gjonaj, Dea Dervishi, Siri Hupin, Martin Kalo, Arlin Çobo, Joana Çobo, Bora Gripshi dhe Taejoon Im, ka marrë pjesë në këtë event ndërkombëtar që nga viti 2017, duke përfaqësuar siç duhet Shqipërinë në SHBA, Meksikë, Dubai, duke u rikthyer tashmë pas dy vitesh zhvillimi virtual për shkak të pandemisë, në Zvicër.

Tema e zgjedhur nga organizatorët e First Global këtë vit ishte “Kapja e Dioksidit të Karbonit dhe Ruajtja e Tij” për të reduktuar emetimet e gazit në atmosferë që përfaqësonte një nga 14 sfidat globale inxhinierike.

Nëpërmjet punës së palodhur dhe përkushtimit, qëllimi kryesor i ekipit Kombëtar të Robotikës është të nxisë zhvillimin e STEM (science, technology, engineering, and mathematics) brenda komunitetit rinor shqiptar, në mënyrë që të ndihmojë Tiranën të bëhet një qendër e rendësishme inovacioni në Europën Lindore.

Më poshtë intervista për Digital Tirana me Juljan Grori, mentori i ekipit kombëtar të Robotikës.

Çfarë është First Global Challenge 2022 dhe si mund të marrë pjesë një ekip?

FIRST Global Challenge është një konkurs robotike, i cili mbahet në një vend të ndryshëm të botës çdo vit. Ky konkurs synon të nxjerrë në pah sfidat më të mëdha me të cilat përballet planeti ynë, ndërkohë që inkurajon brezat e ardhshëm të ndërtojnë aftësitë STEM që kërkohen për t’i zgjidhur këto sfida. Tematikat e këtij konkursi janë të ndryshme çdo vit por gjithmonë duan të ofrojnë zgjidhje për sfidat që përballet planeti ynë.

FIRST Global Challenge është një konkurs i krijuar nga organizata jofitimprurëse FIRST Global e themeluar nga themeluesi i FIRST® (Për frymëzim dhe njohje të shkencës dhe teknologjisë), Dean Kamen. Misioni i FIRST Global është të frymëzojmë lidershipin dhe inovacionin tek të rinjtë nga të gjitha kombet duke i fuqizuar ata përmes edukimit në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë – i njohur gjithashtu si STEM. Ato synojnë t’i frymëzojnë ata që të bëhen liderë të ardhshëm në zgjidhjen e sfidave teknologjike të botës sonë dhe t’u mësojnë atyre vlerën e bashkëpunimit me të tjerët për të arritur qëllimet e tyre.

Si u bë i mundur bashkimi (mbledhja) juaj për të krijuar këtë ekip që në vitin e parë?

Në vitin 2017 unë bashkë me Besnik Zylkën morëm një ftesë nga FIRST Global për të përzgjedhur një ekip me 5 studentë te moshave nga 14 – 18 për të përfaqësuar Shqipërinë në këtë kompeticion robotik global i cili do të zhvillohej në Washington D.C (Korrik 2017).

Njoftimi dhe mbledhja e ekipit u bë e mundur falë ambasadës Amerikane, duke bërë një njoftim në faqen e saj, dhe nga aty pas njoftimit ne arritëm që të takoheshim me këto studentë tek American Corner, pranë Bibliotekës Kombëtare.

Mbas kaq kohësh ne tani kemi dhe rrjetet tona sociale ku bëjmë njoftime dhe postime të ndryshme rreth ekipit dhe aktiviteteve që ne zhvillojmë: facebook, twitter dhe instagram.

Cilat janë kriteret kryesore në përzgjedhjen e ekipit përfaqësues dhe si kanë ndryshuar ndër vite?

Kriteri kryesor është pasioni për teknologjinë dhe STEM. Në momentin që ne kemi më shumë studentë, përzgjedhja për ekipin përfaqësues bëhet me anë të një provimi i cili konsiston në një informacion të përgjithshëm rreth FIRST Global e cila është një pikënisje për çdo student që merr pjesë për herë të parë në ekip.

Qëllimi jonë është që të kemi sa më shumë të rinj të përfshirë në aktivitete të tilla dhe gjithashtu përfshirja e vajzave në ekip. Ky qëllim deri më tani është arritur pasi 50% e ekipit është në gjininë femërore.

Viti 2022 ishte viti i shtatë që ne përfaqësojmë Shqipërinë në këtë kompeticion dhe vitet e kaluara kemi arritur të kemi një renditje të mirë të ekipit dhe gjithashtu të marrim dhe medalje.

Si do e përshkruaje eksperiencën tënde si pjesëtar i ekipit ndër vite?

Vitin e parë unë isha në ekipin përfaqësues dhe gjithashtu isha dhe kapiten i skuadrës. Për mua kjo ishte një eksperiencë e paharrueshme. FIRST Global më lejoi të shkoja përtej kufinjve të mi, të zgjeroja fushën time të vizionit, të zbuloja bukurinë e vlerave të tilla si loja e ndershme dhe puna në grup. Tani e kuptoj se për çfarë bëhet fjalë dhe pse duhet të punojmë të gjithë si grup për avancimin e një komuniteti.

Si është përvoja juaj si mentor në First Global Challenge 2022?

Ky është viti i gjashtë që unë jam mentori i skuadrës së robotikës shqiptare. Të jesh mentor kërkon një përkushtim dhe një punë shumë të madhe, por duke patur nje ekip të apasionuar në robotikë dhe bashkëpunues ia kemi dalë të përballojmë çdo sfidë dhe çdo vështirësi. Vështirësia e madhe që ne hasim çdo vit është gjetja e fondeve. Në momentin që unë marr ftesën nga organizata, gjëja kryesore që ne bëjmë është takime të ndryshme me kompani në Shqipëri për arsye sponsorizimi, për të bërë të mundur udhëtimin dhe akomodimin e ekipit si dhe çdo tarifë tjetër që ne paguajmë për të marrë pjesë në kompeticion.

Deri më tani ne kemi përfaqësuar Shqipërine denjësisht në Washington D.C, Mexico City, Dubai, (2 vite online për shkak të COVID-19), dhe mbas 2 viteve sfida online, u rikthyem përsëri duke përfaqësuar Shqipërinë në Gjenevë, Zvicër në 13-16 Tetor 2022.

Me cilat produkte apo ide jeni paraqitur ndër vite?

Loja e FIRST Global bazohet 14 sfidat inxhinierike më të mëdha me të cilat përballet bota, siç janë identifikuar nga Akademia Kombëtare e Inxhinierisë së SHBA-së, Akademia Mbretërore e Inxhinierisë në Mbretërinë e Bashkuar dhe Akademia Kineze e Inxhinierisë. Sfidat variojnë nga gjetja e zgjidhjeve për energjinë dhe arsimin, deri tek mjekësia dhe hapësira kibernetike. Çdo vit ne duhet të ndërtojmë një robot i cili duhet t’i përshatet lojës së improvizuar nga këto sfida. Roboti duhet të këtë përmasat 50x50x50 dhe duhet të ndërtohet vetëm me pjesët që mundësohen nga FIRST.

Çfarë këshillash keni për të rinjtë dhe të apasionuarit pas robotikës?

Vitet e fundit zhvillimi i teknologjisë ka arritur në majat e tij. Për të rinjtë, depërtimi i madh i telefonave celularë dhe aksesi në internet ka ndryshuar mënyrën se si ne komunikojmë dhe është një tipar përcaktues i brezit tonë. Me anë të robotikës studentët mësojnë sesi të punojnë në grup, të jenë bashkëpunues, të arrijnë të marrin njohuri në fusha të ndryshme si, shkencë, teknologji, inxhinieri dhe në matematikë, të gjitha këto bashkë për të arritur në një produkt final. Ne synojmë që të kemi sa më shumë të rinj me dëshirën për t’u përfshirë  në ekipin tonë dhe ky program që ne kemi të zhvillohet gjithashtu dhe nëpër shkollat shqiptare dhe pse jo të zhvillohen dhe kampionate lokale midis shkollave.