Prej disa vitesh tashmë bota po kalon një krizë të madhe. Që me rënien e pandemisë globale, lufta Rusi-Ukrainë e tashmë edhe kriza globale ekonomike po krijon një strukturë të re të çdo veprimtarie.

Rritja e përdorimit të teknologjisë ka treguar se shumë procese që deri kohët e fundit ishin të nevojshme të kryeshin fizikisht, tashmë mund të realizohen online. Madje ky transformim po ndodh edhe për procese me rëndësi ndërkombëtare në marrëdhënie mes shteteve.

Kjo gjë ka ndodhur mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Ukrainës ku dy shtetet nënshkruan një marrëveshje për tregtinë digjitale.

Marrëveshja e tregtisë digjitale u arrit këtë javë në një takim në Londër të Sekretares së Tregtisë Kemi Badenoch dhe Ministres së Tregtisë dhe Ekonomisë së Ukrainës, Yulia Svyrydenko.

Tregtimi në mënyrë digjitale është veçanërisht i vlefshëm, argumenton qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, sepse lufta dhe dëmtimi i infrastrukturës ukrainase e bëjnë tregtimin fizikisht të vështirë.

Shpresohet se marrëveshja do të ndihmojë në forcimin e ekonomisë së rrënuar të Ukrainës.

Sipas Departamentit për Tregtinë Ndërkombëtare shpresohet se marrëveshja do të ndihmojë Mbretërinë e Bashkuar dhe Ukrainën që sistemet e tyre të identitetit digjital të funksionojnë së bashku. Kjo vjen prej nevojës kritike që njerëzit që kanë humbur dokumentacionin ose janë detyruar nga lufta të udhëtojnë në vende të reja, të jenë në gjendje të përdorin mjete digjitale për të provuar se janë pikërisht ata që thonë se janë.

Marrëveshja do të mundësojë gjithashtu bashkëpunim më të thellë për sigurinë kibernetike dhe do të ndihmojë në rrjedhën e sigurt të informacionit ndërkufitar midis kompanive të shërbimeve financiare.

Znj. Svyrydenko u shpreh se marrëveshja nxori në pah faktin që kompanitë ukrainase të IT-së ishin të kërkuara në mbarë botën, pavarësisht nga të gjitha sfidat e luftës.

Inteligjenca Artificale dhe marrëveshja

Marrëveshja është një marrëveshje në parim pavarësisht natyrës digjitale. Një tekst përfundimtar ligjërisht i detyrueshëm i marrëveshjes është ende për t’u rënë dakord, tha për BBC Sabina Ciofu, një eksperte e tregtisë ndërkombëtare për #TechUK. Por marrëveshje të tilla kanë gjasën të përkthehen në “projekte pilote me rregullatorët dhe industrinë nga të dyja anët”, tha ajo.

Shumë do të varej nga mënyra se si do të zbatohej përfundimisht marrëveshja, por sipas Znj.Ciofu, “kjo marrëveshje e veçantë ka të ngjarë të shohë shumë mbështetje – për të ecur me shpejtësi në zbatim dhe për t’i hapur rrugën veprimtarive të tjera digjitale”.