Tirana është një nga kryeqytetet më të gjalla në Europë dhe po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për të rinjtë dhe nomadët digjitalë që kërkojnë mundësi të reja.  Si kryeqytet dhe metropol, Tirana ofron shumë shërbime publike, lehtësira dhe një jetë të gjerë artistike kulturore plot me evente.

E shpallur edhe si Kryeqyteti Europian i Rinisë për vitin 2022, Tirana është padyshim një nga qytetet më të energjike dhe më transformuese. Një qytet që në dukje nuk fle kurrë, plot fytyra miqësore dhe me surpriza të fshehura në çdo cep të Tiranës dhe rrethinave të saj.

Të ecësh në rrugët e Tiranës do të shohësh qindra mundësi që kryeqyteti ofron, që prej atraksioneve turistike, hapësirave publike të transofmuara për fëmijët dhe të rinjtë e deri te jeta e natës si një magnet i vërtetë për plot turistë që vizitojnë Shqipërinë.

Shërbimi i transportit publik në Tiranë është gjithashtu një element i pashmangshëm i jetës në qytet. Askush nuk është i përjashtuar nga përdorimi i këtij shërbimi! Banorët dhe turistët e qytetit të Tiranës mund të aksesojnë më shumë se 20 linja të ndryshme të autobusëve në qytet.

Parkimi është gjithashtu një element i pashmangshëm në Tiranë. Zhvillimet demografike dhe ato socio-ekonomike të qendrës më të madhe urbane dhe administrative të vendit kanë nxjerr në pah nevojën për organizimin e parkimit dhe lehtësimin e lëvizjes sipas parimeve të mobilitetit. Institucioni i ‘Tirana Parking’ u ofron qytetarëve të Tiranës lehtësimin e parkimit të mjeteve të tyre, nëpërmjet menaxhimit efikas të zonave të destinuara për parkim publik si dhe krijimi i hapësirave të shumta të parkimit publik në një qendër që vetëm zgjerohet.

Gjithashtu, korsitë e biçikletave në kryeqytet janë shtuar ndjeshëm, sidomos gjatë 5 viteve të fundit. Bashkia Tiranë në shumë zona të ndryshme të kryeqytetit, ka përshirë brenda investimit të kryer edhe korsinë e dedikuar për përdoruesit e biçikletave, zgjerimin e trotuareve dhe ndërtimin e rrjetit të korsive të biçikletave, me qëllim lehtësimin e lëvizjen së qytetarëve, duke u dhënë përparësi këmbësorëve, njerëzve me aftësi të kufizuara apo nënave me karrocë.

Përpos shërbimeve dhe faciliteteve që të lehtësojnë jetesën në metropol, Tirana është e mbushur me më shumë kafene të bukura (thonë se shërbejmë kafenë më të mirë në Evropë!) dhe restorante të shijshme për metër katror se shumica e qyteteve evropiane – për të mos përmendur jetën e gjallë të natës gjatë gjithë ditëve të javës.