Ndërsa qindra të rinj po aplikojnë për të qenë pjesë e projekteve të Tirana EYC2022, Bashkia Tiranë vijon me takimet me aktorë të ekosistemit të startup-eve, teknologjisë, turizmit, sipërmarrjes, inovacionit etj.

“Inovacion dhe Turizëm” ishte tema e takimit të radhës mes studentëve, startup-eve dhe sipërmarrësve nga fusha e teknologjisë dhe turizmit, i cili u mbajt në hapësirën e Tumo Center. Gjatë këtij takimi, Erisa Muzhaqi pjesë e Drejtorisë së Inovacionit dhe Ketrina Jarazi, Drejtoreshë e Turizmit pranë Bashkia Tiranë, u prezantuan të rinjve nje seri nismash të ndërmarra tashmë në ndihmë dhe promovimin e ekosistemit në kryeqytet.

Ketrina u shpreh se “Çdo startup-i apo të riu që operon në fushën e turizmit, i cili do të aplikojë për të qenë pjesë e projekteve të Tirana EYC2022, do t’i ofrohet e gjithë ndihma e nevojshme për kalimin me sukses të çdo fazë aplikimi”.

Të rinjtë përfaqësues të startup-eve të reja apo sipërmarrjeve tashmë të suksesshme shprehën të gjithë sugjerimet e tyre për projekte dhe ide novatore për afrimin e Tiranës në një qytet me identitet Europian.

Gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë, përfaqësuesit e Bashkisë Tiranë nënvizuan faktin se bashkëpunimi mes qeverisë vendore dhe të rinjve entuziastë të ekosistemit është thelbësor për ndërtimin e një qyteti Europian.

Një prej pikave më të rëndësishme të takimit ishte prezantimi i platformës “Digital Tirana”, një platformë e ndërtuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Teknologjisë së Informacionit, Inovacionit dhe të Dhënave, e cila ka ne fokus dinamikat e ekosistemit të sipërmarrjes dhe inovacionit.

Kjo platformë, e cila shumë shpejt do të lançohet për publikun, tërhoqi vëmendjen e të gjithë pjesëmarrësve. Të rinjtë i vlerësuan shumë pozitivisht risitë e kësaj platforme, që prej informacioneve gjithëpërfshirëse për ekosistemin dhe startup-et ,deri te hapësira e dedikuar nomadëve digjitalë.

Plot 1000 aktivitete rinore do të zhvillohen në Tiranë në kuadër të marrjes së çmimit si “Kryeqyteti Europian i Rinisë”!


Mos harro! Nëse ke një ide dhe ende nuk ke aplikuar në thirrjen e hapur TiranaEYC2022 ky është momenti yt.