Duke filluar nga prania e AI (inteligjenca artificiale), tek zhvillimi i Metaverse dhe robotët që do i ngjajnë më shumë njeriut, 2023 do të sjellë disa ndryshime në teknologji që tashmë janë mes nesh apo teknologji të reja që do të zhvillohen, të cilat do të formësojnë më tej 12 muajt e ardhshëm!

Ju prezantojmë me disa prej teknologjive që priten të marrin një zhvillim të madh përgjatë vitit 2023.

Inteligjenca artificiale kudo

Në vitin 2023, inteligienca artificiale do të jetë e pranishme në të gjitha organizatat e mëdha botërore të cilat do të përdorin fuqinë e inteligjencës artificiale për të krijuar produkte dhe shërbime inteligjente.

Ne tashmë po shohim se si kompani të mëdha si “Stitch Fix” po përdorin algoritma të cilat u rekomandojnë njerëzve nga e gjithë bota, veshje të cilat u përshtaten me përmasat e tyre trupore dhe preferencat e stilit të veshjes.

Blerjet dhe dërgesat pa kontakt do të jenë gjithashtu një trend i madh për vitin 2023. AI (inteligjenca artificiale) do ta bejë më të lehtë për konsumatorët të paguajnë dhe të marrin mallra dhe shërbime.

Edhe shitësit me pakicë do të përdorin inteligiencën artificiale për të menaxhuar dhe automatizuar proceset komplekse të menaxhimit të inventarit. Gjithashtu edhe në fabrika të ndryshme, punonjësve do t’u duhet të mësojnë të punojnë me makineritë e Al, për të bërë punën e tyre e cila më parë realizohej nga vetë punëtorët.

Metaverse do të bëhet më reale

Metaverse apo jo, interneti do të shëndërrohet në një hapësirë shumë interaktive ku ne do të jemi të aftë të luajmë, punojmë, shoqërizohemi dhe krijojmë një jetë sociale virtuale.

Ekspertët parashikojnë se Metaverse do t’i shtojë 5 trilion dollarë ekonomisë globale deri në vitin 2030 dhe se faktikisht viti 2023 do të jetë viti që do të përcaktojë drejtimin e metaverse-s për dekadën e ardhshme.

Teknologjia e augmented reality (AR) dhe realitetit virtual (VR) do të vazhdojnë të përparojnë.

Një fushë mjaft interesante është mjedisi i punës në Metaverse dhe në vitin 2023 parashikohet që të ketë më shumë mjedise takimesh virtuale, ku njerëzit të mund të flasin dhe të ndajnë mendime, diskutime apo edhe të merren vendime biznesi.

Ne do të shohim gjithashtu teknologi më të avancuara të avatarit në vitin 2023. Një avatar mund të duket tamam si në botën reale dhe madje avatarët do të përvetësojnë gjuhën dhe gjestet tona.

Gjithashtu do të zhvillohen edhe avatarët e aktivizuar nga AI, që do të ndërveprojnë si përfaqësuesit tonë në metaverse edhe nëse nuk kemi një llogari në botën digjitale.

Kompanitë tashmë po përdorin teknologjinë metaverse si AR dhe VR për të kryer trajnime dhe ky trend do të përshpejtohet në vitin 2023.

Kompania gjigande e konsulencës “Accenture” ka krijuar tashmë një mjedis metavers të quajtur “Kati Nth”. Kjo botë virtuale përmban kopje të zyrave Accenture të botës reale, kështu që të punësuarit e rinj dhe punonjësit aktualë mund të kryejnë detyra të lidhura me burimet njerëzore pa pasur nevojë të jenë të pranishëm në një zyrë fizike.

Do ketë përparime në Web 3.0

Teknologia Blockchain gjithashtu do të përparojë ndjeshëm në 2023 pasi kompanitë kanë filluar të krijojnë produkte dhe shërbime më të decentralizuara. Blockchain do na ndihmojë githashtu të ruajmë në mënyrë më të sigurt të dhënat tona.

Edhe NFT-të (tokenët digjitalë) do të kthehen në diçka praktike dhe normale. Për shembull, në shumë koncerte njerëzit do të kenë bileta NFT. Gjithashtu NFT-të mund të jenë çelësat që do të përdorim për të blerë produkte dhe për të marrë shërbime digjitale.

Një urë gjithnjë e më e afërt mes botës fizike dhe digjitale

Tashmë po shohim një urë në zhvillim midis botës digjitale dhe asaj fizike dhe kjo prirje do të vazhdojë në vitin 2023. Ekzistojnë dy komponentë të këtij bashkimi: teknologjia digjitale binjake dhe printimi 3D.

Binjakët digjitalë janë simulime virtuale të proceseve, operacioneve ose produkteve të botës reale që mund të përdoren për të testuar ide të reja në një mjedis të sigurt digjital. Projektuesit dhe inxhinierët po përdorin binjakë digjitalë për të rikrijuar objekte fizike brenda botëve virtuale, në mënyrë që ata të mund të testojnë çdo faktor të imagjinueshëm pa kostot e larta të eksperimenteve në jetën reale. Pas testimit në botën virtuale, inxhinierët mund të modifikojnë komponentët e më pas t’i krijojnë ato në botën reale duke përdorur teknologjinë e printimit 3D.

Për shembull, ekipet e Formula 1 aktualisht mbledhin të dhëna të transmetuara nga sensorët gjatë garave, si dhe temperaturat e pistës së garave dhe kushtet e motit për të parë se si ndryshojnë makinat gjatë garave. Më pas ata transmetojnë të dhënat nga sensorët në binjakët digjitalë të motorëve dhe komponentëve të makinës dhe ekzekutojnë skenarë për të bërë ndryshime të dizajnit menjëherë. Ekipet më pas printojnë pjesë të makinave në 3D bazuar në rezultatet e testimit të tyre.

Natyrë e “modifikueshme”

Ne do të jetoimë në nië botë ku mund të bëjmë ndryshime të materialeve, bimëve dhe madje edhe njerëzve duke i modifikuar ato. Nanoteknologjia na mundëson të krijojmë materiale me karakteristika krejtësisht të reja, të tilla si rezistenca ndaj ujit dhe aftësitë vetë-shëruese.

Në vitin 2023 do të shohim teknologinë e redaktimit të gjeneve të përshpejtohet për të na dhënë aftësinë për të “modifikuar natyrën” duke ndryshuar ADN-në.

Redaktimi i gjeneve funksionon paksa si përpunimi i tekstit, ku mund të hiqni disa fjalë dhe të shtoni të tjera. Redaktimi i gjeneve mund të përdoret për të korrigjuar mutacionet e ADN-së, për të zgjidhur problemin e alergjive ushqimore, për të shtuar të korrat apo edhe për të modifikuar karakteristikat njerëzore si ngjyra e syve dhe e flokëve.

Zhvillimi kuantik

Tani për tani, ekziston një garë mbarëbotërore për të zhvilluar informatikën kuantike.
Llogaritja kuantike, e cila përdor grimcat nënatomike për të krijuar mënyra të reja të përpunimit dhe ruajtjes së informacionit, është një hap teknologjik që pritet të na sjellë kompjuterë të aftë për të operuar një trilion herë më shpejt se procesorët më të shpejtë tradicionalë të disponueshëm deri më tani.

Shih edhe: Si po ndryshon teknologjia industrinë e sportit?

Progresi në Teknologjinë e Gjelbër

Një nga sfidat më të mëdha me të cilat po përballet bota tani është frenimi i emëtimeve tona të karbonit në mënyrë që të mund të trajtojmë krizën klimatike.

Në vitin 2023 do të shohim një përparim të vazhdueshëm rreth hidrogjenit të gjelbër, një burim i ri energjie me djegie të pastër që prodhon afro zero emëtime të gazeve serrë. “Shell” dhe “RWE”, dy kompani të mëdha europiane të energjisë, po krijojnë tubacionin e parë të madh të gjelbër nga impiantet e erës në Detin e Veriut.

Do të shohim githashtu progres në zhvillimin e rrjeteve të decentralizuara të energisë. Prodhimi i shpërndarë i energjisë duke përdorur këtë model, siguron një sistem të gjeneratorëve të vegjël të energisë dhe magazinimit që ndodhen në komunitete ose shtëpi individuale, kështu që ata mund të kenë energji edhe nëse rrjeti kryesor nuk është i disponueshëm. Tani për tani, sistemi ynë energjitik dominohet kryesisht nga kompani të mëdha gazi dhe energjie, por nismat e decentralizuara të energiisë kanë potencialin për ta ndryshuar këtë, duke ulur emëtimet e karbonit.

Robotët do të bëhen më njerëzorë

Në vitin 2023, robotët do të ngjajnë edhe më shumë me njerëzit, në pamje dhe aftësi. Këto lloj robotësh do të përdoren në botën reale si prezantues të eventeve, banakierë, portierë dhe shoqërues për të moshuarit. Ato gjithashtu do të kryejnë detyra komplekse në depo dhe fabrika teksa punojnë së bashku me njerëzit.

Në shtator të vitit 2022, Elon Musk tregoi për të gjithë botën dy prototipe të robotëve humanoide “Optimus” dhe tha se kompania do të jetë gati të marrë porosi në 3 deri në 5 vitet e ardhshme. Roboti mund të kryejë detyra të thjeshta si ngritja e sendeve dhe ujitja e bimëve, kështu që ndoshta së shpeiti do të jemi në gjendje të kemi “robot shërbëtorë” që ndihmojnë në shtëpi.

Progresi në Sistemin Autonom

Udhëheqësit e bizneseve do të vazhdojnë të bejnë përparim në krijimin e sistemeve autonome, veçanërisht rreth shpërndarjes dhe logjistikës. Shume fabrika dhe magazina tashmë janë bërë pjesërisht ose plotësisht autonome.

Në vitin 2023, ne do të shohim edhe më shumë kamionë dhe anije vetë-drejtuese, si dhe robotë dërgues, dhe akoma më shumë depo dhe fabrika do të zbatojnë teknologijnë autonome.

Teknologji më të qëndrueshme

Më në fund, do të shohim një shtytje drejt teknologjisë më të qëndrueshme në vitin 2023. Shumë (nëse jo shumica) prej nesh janë të varur nga teknologjia si telefonat inteligjentë, tabletët dhe kompjuterët tanë, por nga vijnë artikujt për të prodhuar pajisjet tona të preferuara? Njerëzit do të mendojnë më shumë se ku e kanë origjinën artikuj të tillë si cipat kompjuterike dhe si po i konsumojmë ato. Në vitin 2023, do të shohim një shtytje të vazhdueshme drejt bërjes më transparente të zinxhirëve të furnizimit, pasi konsumatorët kërkojnë që produktet dhe shërbimet në të cilat investojnë të jenë efikase në energji dhe të mbështetura nga teknologjia më e qëndrueshme.

Ndiheni gati për ndyshimet e mëdha teknologjike që na presin këtë vit?

© forbes