#YouthInTech është një nismë që promovon të rinjtë entuziastë të cilët kanë një ide apo një projekt inovator.

Aldin Isaki është një student nga Maqedonia e Veriut. Aktualisht ai studion për shkenca kompjuterike në “University of People” në SHBA. Ndërkohë ai është duke punuar edhe për certifikimin në këshillin e KE-së për zbulimin e krimeve kompjuterike. Është certifikuar nga Global Tech Council për inteligjencën aritificiale në nivel eksperti. Gjithashtu ai punon me cloud computing, ku mban një certfikatë master si arkitekt cloud nga Google dhe është studenti më i ri që e ka marr atë.

Cili ishte momenti që ju kuptuat se kishit pasion teknologjinë?

Unë dhe familja ime u shpërngulëm në një fshat të quajtur “Leshkë”, kur isha 1 vjeç. U rrita në këtë fshat të largët dhe pa fqinjë përreth. Shkollimin e mbarova në qytetin e Tetovës. Që fëmijë, gjithmonë mërzitesha shpejt duke luajtur me lodrat dhe i shembja ato, sepse gjithmonë isha kurioz se si funksionojnë gjërat në të vërtetë. Dikur mblidhja elektronikën e ngelur dhe përpiqesha t’i ndërtoja gjërat vetë. Më vonë, kur morëm një kompjuter në shtëpi, ai ishte si një lodër e re për mua dhe kalova mjaft kohë duke e eksploruar. Po eksperimentoja me të, kaloja nëpër menu, klikoja dhe ndonjëherë duhej ta dërgonim për riparim, por kjo nuk zgjati shumë, sepse kur isha 8 vjeç, munda t’i zbuloja dhe t’i rregulloja vetë problemet. Gjithmonë më pëlqente të punoja me kompjuterë dhe teknologji, por kuptova se kisha një shkëndijë talenti, kur ndihmoja miqtë dhe mësuesit e mi në shkollë duke rregulluar kompjuterët e tyre dhe duke instaluar softuer të ndryshëm.

Cilat janë disa nga projektet që jeni duke punuar aktualisht?

Aktualisht, jam duke punuar në projekte për sigurinë kibernetike. Shumica e projekteve janë modele që kam krijuar, disa prej të cilave janë në fazën e zhvillimit dhe disa në fazën e testimit. Modelet janë bërë në bazë të vendit ku duhet të përdoren. Ato mund të jenë të dobishme për kompanitë, institucionet, bankat, qeveritë, etj. Komunikimi i sigurt dhe i shpejtë, ndarja e të dhënave dhe rrjetëzimi janë prioritetet e mia në këto projekte. Meqenëse jam një arkitekt i certifikuar Master i “Google Cloud”, projektet e mia bazohen në “cloud”, që është një teknologji inovative dhe e sigurt.

Përveç këtyre, jam duke punuar edhe në 5 projekte edukative. Këto projekte i nisa pas një kërkimi që bëra në vendet e Ballkanit Perëndimor. Analiza tregoi se ka një boshllëk të madh njohurish në fushën e sigurisë kibernetike. Duke qenë se shumica e kurrikulave shkollore janë të vjetëruara në aspektin teknologjik, mendoj se këto kurse/trajnime arsimore do të ofrohen përmes arsimit joformal.

Në cilin prej projekteve keni hasur më shumë vështirësi dhe a ju kanë ndihmuar dështimet të jeni më të suksesshëm?

Në çdo projekt që kam punuar ka pasur sfida, por asnjëherë dështime. Mendoj se fjala “dështim” nuk ekziston në fjalorin tim, por vetëm fjala “mësim”. Është thelbësore të kesh një strategji të mirë pune. Planifikimi, gjetja e burimeve, bërja e analizave, marrja e komenteve dhe opinioneve janë shumë të rëndësishme. Kur ke një strategji të mirë pune, komunikim të mirë dhe një ekip profesional, sfidat janë më të lehta. Gjëja e rëndësishme është të punoni në zgjidhjen e tyre në vend që t’i anashkaloni ato.

Si mendoni se duhet qasur siguria kibernetike në kontekstin e të rinjve?

Mendoj se të rinjve u mungon informacioni për sigurinë kibernetike. Unë shoh në baza ditore, vetëm duke dalë për kafe, njerëzit lidhen drejtpërdrejt me internetin në rrjete të hapura dhe përdorin pajisjet e tyre që përmbajnë informacione personale që mund të jenë në rrezik në çdo kohë. Unë shoh njerëz që nuk i lexojnë kushtet dhe shërbimet, politikat dhe i pranojnë ato gjithsesi. Shoh njerëz që shkojnë në faqet e internetit dhe pranojnë “cookies” pa e ditur se çfarë janë ato. Këto janë gjërat më elementare, për të cilat ne duhet t’i ndërgjegjësojmë, t’i informojmë të rinjtë, sepse nuk mund të kemi një sistem të përgjithshëm të sigurt, nëse nuk nisemi nga krijimi i një mjedisi digjital të sigurt për nevojat tona personale. Sistemi arsimor në vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ofron asnjë informacion në lidhje me sigurinë kibernetike dhe unë nuk kam parë të punohet për këtë. Shpresat e mia janë te edukimi joformal.

Ku e shihni veten pas 10 vitesh?

Kjo është një pyetje që më pëlqen ta mbaj për vete, por ajo që mund të them është se nuk do të ndalem kurrë së ndjekuri pasionin tim, duke mësuar zhvillimet më të reja teknologjike dhe gjithmonë duke motivuar të rinjtë, për të krijuar një të ardhme më të mirë për ne dhe për gjeneratat e ardhshme. Një herë lexova një citim që thoshte “Bëhu ndryshimi që dëshiron të shohësh në këtë botë” dhe arsyeja pse punoj në projekte arsimore është se dua që të rinjtë dhe brezi i ardhshëm të kenë akses më të lehtë dhe një proces më të mirë të të mësuarit se unë. Kontributi për atdheun tim do të jetë gjithmonë shumë i rëndësishëm për mua.

Çfarë këshillash do rekomandonit për të rinjtë e tjerë shqiptarë të talentuar në teknologji?

Së pari dua të them se shoh të rinj shqiptarë që kanë potencial për të arritur majat e teknologjisë. Teknologjia është fusha me zhvillim më të shpejtë dhe pjesa sfiduese është ndjekja e saj. Për ata që duan të ndjekin profesione të lidhura me teknologjinë, qëndrimi i përditësuar është shumë i rëndësishëm, sepse përndryshe do të largoheni nga tregu i punës brenda disa vitesh apo edhe muajsh.

Në ditët e sotme, qasja tek informacioni është shumë e lehtë. Ju mund të mësoni gjithçka që dëshironi, duke përdorur platformat online. Gjëja e parë që ju nevojitet, është një laptop apo kompjuter dhe akses në internet. Në Google, YouTube, GitHub, ka një oqean pafund informacionesh dhe shumica e tyre janë falas. Edhe kurset me pagesë, kanë zbritje speciale për studentët dhe nuk kushtojnë shumë.

E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, puna për rritjen personale dhe për mirëqenien mendore personale është shumë e rëndësishme. Puna me teknologjinë kërkon fokus, qëndrueshmëri, këmbëngulje, vetë-motivim dhe shumë aftësi të tjera si kjo, të cilat nuk kanë lidhje me teknologjinë, por janë shumë të nevojshme. Nga kompjuteri mund të bëhemi shumë të varur, deri në atë pikë sa të harrojmë se ka një jetë atje jashtë. Nuk do të doja që kjo t’i ndodhte askujt, prandaj ndonjëherë duhet të heqësh qafe teknologjinë dhe të kalosh ca kohë në natyrë. Kjo do të rrisë produktivitetin dhe do të kontribuojë që të mbani mendjen dhe trupin tuaj të shëndetshëm.

Çdo gjë mund të arrihet edhe me 0% talent. Ajo që është e rëndësishme është të mos heqim kurrë dorë nga qëllimet tona!